21.7.07

Beqir Elshani :MONA SOKOLESHË, KJO VASHË SHQIPTARE

Kundërshtim ndaj shkrimit të Bahtir Hamzës.
Me të parë komentin e publicistit, Flori Bruçi, “Jahir Demaj, alias Kali i Trojës”, gjeta një shkrim të shkrimtarit dhe piktorit, Bahtir Hamza, drejtuar publicistes, Mona Agrigoroaiei. Derisa kundërshtari i parë me banim në Evropën Perëndimore është anonim, i dyti është emër i njohur dhe jeton në ShBA. Kam bindje se të dytë janë veteranë, të cilët kanë vuajtur në burgjet ish-jugosllave. Prandaj në bazë të shkrimit kundër Adem Demaçit dhe Albin Kurtit, mund të kuptoj se kush fshihet prapa pseudonimit “Jahir Demaj”. Shpresoj që një ditë me ndihmën e Laokontit të zbuloj “Kalin e Trojës”, që përvidhet në faqet e internetit shqiptar. Po të trilloja unë ndonjë pseudonim letrar, do të merrja një emër dhe mbiemër nga thesari i fjalorit të gjuhës shqipe dhe jo të huajën. Unë i luftoj pseudonimet me burime fetare dhe kozmopolite, sepse janë të dëmshme për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare.
Padyshim që përshëndetja shqiptare e Bahtir Hamzës drejtuar vashës së re, Mona Agrigoroaiei me anën e postës elektronike është çirrmë e tij ironike. Duket qartë se shkrimi i tij është një mllef autokratik ndaj publicistes së shkëlqyer shqiptare. Prandaj B. Hamza bie në kundërshtim me etikën e profesionit të tij si poet dhe botues. Së pari, poetët nuk bën të fyejnë të tjerët vetëm pse mendojnë ndryshe, aq më shumë vashën trime Mona, dhe së dyti botuesi duhet të jetë demokrat por edhe konstruktiv në shkrime. Ndonëse Bahtiri si arrogant e sulmon Monën, përkundrazi, zonjusha Mona si një femër e ngritur mbrohet nga blasfemi i turpshëm i Bahtir Hamzës.
Sipas paraqitjes së Hamzës, të cilën me eufori të skajshme e përsërit disa herë me radhë se zonjusha Mona Agrigoroaiei nuk është shqiptare dhe se po të ishte do të ishte e djathtë, do të thotë se vetë Hamza është diktator, për të cilën nuk dihet se nga i vjen fuqia?!… Në vazhdim, ai nuk është i autorizuar të bëjë vlerësimin diplomatik të Monës rreth “kompetencave”, siç e thekson ndaj Enver Hoxhës, në kohën kur Shqipëria kishte ushtri kombëtare për mbrojtjen e atdheut nga fqinjët grabitqarë. Argument bindës dhe kronologjik është artikulli i analistit R. Mexhuani, i cili shkruan se në kohën e të madhit Enver Hoxha Shqipëria ishte një shtet i zhvilluar dhe i pavarur, të cilën në vend se Sali Berisha të vazhdonte me zhvillimin e vendit, e plaçkiti dhe e shkatërroi plotësisht. Periudha e Sali Berishës po tregon se nuk ka më mbrojtje diplomatike ndaj fqinjëve grabitqarë, siç janë Maqedonia dhe Mali i Zi, përkundrazi ka servilizëm, me anën e së cilës ngutet me njohjen e pavarësisë së tyre, që vazhdimisht janë në dëm të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar. U dashtë të kalojnë 13 vjet, që kryeministri kundërdemokrat Dr Sali Berisha, (ani doktor i shkencave mjekësore!!!), të pranojë botërisht se kishte shkelur Sanksionet e OKB-së, i cili me naftën shqiptare furnizonte topat e ushtrisë kriminale serbe. Prandaj B. Hamza ka shkelur të gjitha normat etike dhe demokratike ndaj çështjes madhore shqiptare dhe krekoset sikur Kosova të ishte e bashkuar me Shqipërinë. Sulmi i B. Hamzë i tejkalon kufijtë, sepse të vrasësh logjikën e Monës atdhetare është sikur të vrasësh mbarë popullin shqiptar. Ai mundohet të ndikojë në mendimet e të tjerëve, derisa pikëpamjet e çdo qytetari të lirë ndryshojnë. Prandaj zotëri Hamza rruazat e së djathtës zhurmëtare le t’i mbaj për vete, Mona nuk ka nge të merret me to. Në fund shihet se si mundohet të triumfojë me sqarimet rreth identitetit kombëtar dhe lirisë. Aferim, veterani, shkrimtari, kryeredaktori dhe botuesi me damkë disfatiste!
T’i thuhet zonjushës Mona se nuk është shqiptare, është sikur të thuhet se Asdreni i madh nuk është shqiptar. Edhe më tutje, t’i thuhet Monës se nuk është shqiptare, është sikur të thuhet se aktori me famë botërore, Aleksandër Moisiu, nuk është shqiptar. Zotëri Hamza, mos luaj me ndjenjat njerëzore dhe mos bjer viktimë e flluskave të ashtuquajtura demokratike në Ballkan, sepse liria, pavarësia dhe Bashkimi Kombëtar ende janë larg. Deklarimi kundërnjerëzor i Hamzës më përkujtoi kërcënimin e rugovistëve në Evropën Perëndimore, të cilët dikur thoshin se ai që nuk paguan trepërqindësh nuk është shqiptar. Natyrisht, që një ndër ta, që nuk e njihnin kontributin e LDK-së, ishin anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës deri me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe çfarë ngatërrimi, derisa unë u thosha qytetarëve të Sanxhakut se janë shqiptarë, rugovistët më mohonin kombin shqiptar, edhe pse në banesën time qëndronte Flamuri Kombëtar dhe portreti i Skënderbeut me ngjyra, të cilat i kam punuar vetë. Prandaj deklarimi i skajshëm i Hamzës kundër zonjushës vigjilente ujë çon në mulli të Beogradit, përndryshe kryeqytet i fitilave fashiste, që edhe Tiranën e gjunjëzoi: si në fushën e muzikës, ashtu edhe në fushën e diplomacisë. Vetë shkrimi i tij nënkupton se po të ishte Mona përkrahëse e vijës politike të Ballit, a të Berishës me gjithë Rugovën do të shkruante fjalë të bukura, por edhe do të krenohej për punën e saj. Megjithatë Mona nuk është as me të majtën, as me të djathtën, përkundrazi është luftëtare që me penën e saj të zjarrtë lufton kundër fashizmit serb, por edhe kundër gjithë hyzmeqarëve që flasin shqip.
Në fund të shkrimit, Bahtir Hamza është shprehur me antiteza të ndryshme “jam dhe s’jam shqiptar”, ndaj e kisha vështirë të kuptoj identitetin e tij, kjo dihet sepse jam i varfër në stilistikën e tij kundërkombëtare. Këtu e ka vendin fjala e urtë e përshtatur sipas poetit të madh, Dritëro Agolli, se kur të vdes kompjuteri do të vdes edhe poeti. Pastaj si një shpatë me dy tehe, në mënyrë profetike, veprimtares Mona i ofron kombësinë e re shqiptare: e para kinse ajo nuk është shqiptare, dhe e dyta vepron sikur Kosova të ishte pronë e tij. Kurse për fyerjen që ia drejton motrës sonë shqiptare, Mona, rreth identitetit të ri “rome”, do të thotë se veterani, poeti dhe botuesi i krisur, B. Hamza, ka nevojë ose për një edukator, ose për një avokat mbrojtës. Të njëjtin zhargon poshtërues ia dërgon edhe veprimtarit dhe aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosja”, Xhemil Zeqirit. Duket qartë që Bahtir Hamza ka hapur frontin, ndaj në vend se me bashkëkombësit shqiptarë të luftojë kundër fashizmit serb, ai krijon armiq pa ndonjë arsye.
Derisa Bahtir Hamza në fushën e letrave fyen sokoleshën Mona, në anën tjetër, me anën e forcës fizike kërkon takim në fushë të mejdanit me veprimtarin, Xhemil Zeqiri. Veprimi i “azganit” Hamza, jo vetëm që është primitiv, por edhe arkaik, që i përket mesjetës së errët. Dhe ky qërim hesapesh nuk është për ndarjen e gjahut, por për qëllime politike: i pari e urren Enver Hoxhën, i dyti e simpatizon. Megjithëse Bahtir Hamza kërkon me këmbëngulje dyluftim, Xhemil Zeqiri e kundërshton, sepse është i zënë me hallet e atdheut. Është fortë e çuditshme që Bahtiri nuk kërkon mejdan me ndonjë shqiptar titist, por me Xhemilin që pa i bërë syri tërr e adhuron Enver Hoxhën. Ngjarja të kujton legjendën e rinjohjes së vëllait me vëllain në shtegtime të ndryshme, të cilët për shkak femrash vrasin njëri-tjetrin. Prandaj nëse Hamza e ka harruar vendlindjen e tij dhe pa kurrfarë arsye kërkon dyluftim, përkundrazi Zeqiri nuk e ka harruar vendlindjen dhe ka obligime më të rëndësishme kombëtare se “nderi politik”.
Nëse me të vërtet, B. Hamza, e ndjen vetën kaq të fuqishëm, me anën e së cilës i fyen veprimtarët, duke i shpallur bashkëpunëtorë të Serbisë, pse atëherë nuk i bie këput të gjitha problemeve. Shkurt, meqë qenka kaq trim i patrembur, atëherë le të emërohet gjeneral i armatës dhe të mbledhë një ushtri shumë të madhe shqiptare në të gjitha anët e Shqipërisë Etnike. Posa të shoh pushtuesja e rrezikshme shekullore, që veterani i burgjeve të ish-Jugosllavisë ka themeluar një armatë të madhe dhe të pathyeshme, jam i bindur se Serbia, jo vetëm që do të tërhiqet nga trojet e pushtuara shqiptare, por edhe do të bëj një revolucion të brendshëm, me anën e së cilës do të kërkojë falje për krimet e shkaktuara ndaj popullit shqiptar dhe fill pas kësaj të njoh pavarësinë e Kosovës.
Fjala e popullit “u zmbraps dashi” është sa e bukur, aq edhe fisnike, sepse kur të zmbrapset dashi, do të marrë një vrap dhe me brirët e tij të mëdhenj do ta shqyej bishën. Prandaj nëse Bahtir Hamza pandeh veten një trim me përkrenare shqiptare, le të zmbrapset pak dhe të shikojë se kë duhet sulmuar: vëllezërit shqiptarë që tërë jetën kanë luftuar kundër pushtuesit serb, apo bishën serbe që nuk e ka ndërmend të hiqet me mjete diplomatike nga trojet tona shqiptare. Po kush nuk mbeti pa u fyer nga pena e tij vrazhdët, ai fyen dëshmorët Jusuf e Bardhosh Gërvalla, pastaj shkrimtarin dhe veteranin, Zeqir Gërvalla, që tërë jetën ia kushtuan çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Të përgojohen dëshmorët dhe veteranët e kombit shqiptar, që luftuan për mëmëdheun tonë etnik, siç shkruan Pashko Vasa “Gjithë kah lëshon dielli vapë edhe rreze!” është jashtë normave etike dhe shkencore. Prandaj të fyhen dëshmorët që me penën e tyre luftuan për emancipimin kombëtar dhe çlirimin e atdheut, është sikur të fyhet arti, muzika, letërsia dhe kultura kombëtare.

Nuk ka komente: