18.6.07

Statusi dhe pesëshja GU nyjë për Kosovën

Jeton Kelmendi

1
Statusi është çështja më e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe është e natyrshme që të jetë në rend të parë. Situata ka shkuar deri në at masë, sa që çështja e pavarësisë është bërë gjithçka. Nga kjo që shohim jemi dëshmitarë se status quo-ja, ka bllokuar zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin e institucioneve, për çka populli është lodhur së tepërmi duke duruar korrupsionin dhe shpërfilljen e parasë publike. Në këtë kontekst duhet pranuar se statusi i pazgjidhur i vendit ka lidhur nyjë zhvillimin e shoqërisë kosovare të dalë nga lufta tetë vjet më parë. Mungesa e investimeve, për shkak të pasigurisë, pa status të Kosovës, nga mekanizmat ndërkombëtarë, si Banka Botërore dhe Fondi monetarë Ndërkombëtarë, ka bërë që Kosova të jetë njëri nga vendet më të varfra në Evropë, me mbi gjashtëdhjetë përlind të popullit shtresë e varfër. Kanë kaluar sa vjet nga koha e paraparë për përfundimin e rezolutës 1244, me të cilën OKB-ja administron Kosovën, mirëpo çështja ende nuk është zgjidhur. Institucionet vendore të dala nga vota e popullit i ka lidhur nyjë rezoluta e re që nuk ka marrë votimin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Për ta pasur në kontroll lidershipin shqiptarë, faktori ndërkombëtarët ka pranuar një grup paralel që quhet Grupi i Unitetit. Ky grup ose elefantët e quajtur edhe pesëshja, kanë marr funksionin e qeverisë, parlamentit dhe presidentit. Këta njerëz marrin përsipër jo vetëm negociatat me Serbinë që përfunduan pa sukses, por edhe shpalljen e konkursit për simbolet dhe për ligjin e zgjedhjeve dhe çështje të tjera kruciale për vendin. Këtu rëndë është shkelur korniza kushtetuese dhe institucionet. Populli është lodhur tej mase, mirëpo për shkak të statusit është lidhur nyjë dhe nuk mund të bëj hapin përpara në ndryshimin e këtij realiteti të shpërfillur nga pesëshja. Kjo shtrëngesë mbase akoma po mbahet, përmasat e pasojave do të mund të jenë tejet të mëdha një ditë, ndoshta edhe në kohet e shtyrjeve të vazhdueshme të statusit. Nuk e di këtu ku është vetëdija e këtyre liderëve që kanë humbur kredibilitetin para popullit. Kurë do të filloj të ndryshoj logjika e tyre, që të mendojnë dhe shikojnë drejt.

2
Edhe Grupi i Unitetit, i cili nuk është votuar nga qytetarët, është nyjë për shumë çështje në Kosovë. Së pari populli ka votuar për parlamentin që ka 120 deputet, jo vetëm pesë dhe nga ky parlament ka dalë qeveria e cila ka mbetur nën hije gati si ajo e Thaçit, nga supërqeveria të cilën e drejtojnë me UNITET pesë politikanë. Në fakt në këtë grup që sot në Kosovë është gjithçka, nuk ka opozitë, nuk mund ta dijë kush se kush është më i madh se tjetri aty, por më i vogli është Fatmir Sejdiu të cilin më së paku e pyesin të tjerët, edhe pse ai duhet të ishte më i madhi. Ky grup e ka lënë vendin pa opozitë dhe çdo gjë merr miratimin vetëm të këtij grupi, duke anashkaluar të gjitha hallkat tjera të sistemit shoqëror, përfshirë institucionin më të lartë ligjvënës, Kuvendin. Ndërkohë qeveria është shndërruar në një mekanizëm, thjeshtë zbatues të vullnetit të këtyre “pesë yjeve”. Në fakt gjërat, në vetëdijen e politikës dhe qytetarit kanë filluar të ndryshojnë pak. Ka edhe deputet të cilët dalin dhe i kundërshtojnë hapur shefat e tyre në këtë grup. Subjekti më i madh politik LDK, është ndarë në dyshe dhe nuk e ka fuqinë e elektoratit që e kishte në kohën e Rugovës. Edhe partitë tjera nuk e kanë elektoratin që morën në zgjedhjet e fundit, pasi që në skenë ka dalë edhe një parti e re dhe gjërat kanë ndryshuar. Thënë më shkurt pesëshja, nuk përfaqëson më shumicën e popullit. Kur jemi këtu, ne e dimë se në këtë fazë statusi më së paku është në duart e politikanëve të Kosovës, sidomos jo të Grupit të Unitetit, që çdo gjë thotë se e bënë në emër të statusit ndërsa në realitet çështjen më madhore për popullin e ka bartur tek “miqtë perëndimor dhe Rusia”. Sido qoftë kjo nuk donë të thotë se ne, duhet të presim duarkryq pavarësinë siç është duke ndodhur, sepse çfarë do të bëjmë pas pavarësisë kur do që të vij një ditë ajo ditë.
Politika e këtij grupi dhe segmenteve të tjera ka lidhur nyjë edhe opinionin publik. Mbase mund the themi lirisht se media kontrollohet nga politika, e kryesisht nga pesëshja, për shembull edhe shtyrjet e vazhdueshme të statusit, premtimet e parealizuara për afatet e zgjidhjes nga shumica absolute e medieve arsyetohen ose heshtën.
Po bëhet një vit i shtyrjes së statusit dhe po aq kohe nga skadimi i afatit të të zgjedhurve nëpër komuna. Pse lidhet nyjë çdo gjë. Ta zëmë zgjedhjet lokale ka mundësi që të mbahen dhe mos të grumbullohen të gjitha. Çështje me rëndësi për vendin po ngecin. Është vështirë për ti qeverisur komunat me këtë strukturë politike që i ka skaduar mandati. Janë krijuar edhe komuna të reja të cilat drejtohen nga përfaqësues jo të zgjedhur drejtpërdrejt për komunat gjegjëse, thjeshtë pa legjitimitet. Në tetor u skadon mandati edhe të zgjedhurve në institucionet qendrore. Krejt për fund Grupi i Unitetit duhet zhbërë, në at mënyre që të zgjidhet një nyjë dhe të kthehemi mbarë. Për ndryshe ky pezëm që ka populli mund të shndërrohet në revolucion, pesëshja nuk di ku do të mbetët.

Nuk ka komente: